Shpërthen zjarr i madh në Vranidoll të Prishtinës, dyshohet se e shkaktoi faktori njeri

Sot pyjet në afërsi të fshatit Vranidoll janë përfshirë nga zjarri.

Në vendin e ngjarjes, kanë dalur zjarrfikësit dhe njësitë e FSK-së.

Ballkani.info ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes.

Sipas Bekës, në konstatimet që janë nxjerrur deri më tani, zjarrin e ka shkaktuar faktori njeri.

“Shkaktari i zjarrit i cili ka kapluar sipërfaqe të madhe është faktori njeri, ndërsa arsyet nuk po dihen ende. Në vendin e ngjarjes janë ekipet tona por edhe pjesëtarët e FSK-së. Zjarri tashmë është në lokalizim e sipër dhe nuk paraqet rrezik, ndërsa nuk ka shkaktuar dëme në objekte apo shtëpi përreth”, ka thënë Beka.

Tutje, ai ka thënë se burimi i zjarrit, sipas konstatimeve nuk është në fshatin Vranidoll.

“Burimi i zjarrit ka qenë nga fshati Serovc por ka ardhur deri në Vranidoll në afërsi të ish-kazermës së TMK-së. Gjatë ditës nuk ka pasur temperatura të larta që kanë mundur të jenë arsye e zjarrit, andaj edhe po dyshohet në faktorin njeri. Aktualisht, intensiteti i zjarrit është i ulët dhe po lokalizohet”, ka thënë Beka për Ballkani.info.

Në fund, ai ka thënë se ka qenë fat i mirë që erërat gjatë ditës së sotme kanë fryrë në drejtim të kundërt të objekteve, përndryshe zjarri do të kishte mundësi të shkaktonte dëm në to.

Ballkani.info ka raportuar edhe dje për zjarrin që kaploi pyjet në fshatin Besi, ku kishte siguruar edhe video.

LEXO: Digjet pyelli në afërsi të Ish-kazermës së TMK-së në Besi (VIDEO)

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Haradinaj ka deklaruar se qeveria ka një plan veprimi sa i përket vatrave të zjarrit nëpër pyjet e Kosovës. /Ballkani.info