Shpërthen Naser Rugova me kritika ndaj LDK-së: A keni turp, a keni fije morali? Mjaft më me përralla!

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka shpërthyer me kritika ndaj partisë së tij.

Rugova ka bërë thirrje që fillimisht te LDK-ja duhet të shfuqizohet neni në statusin e partisë ku detyrimisht thuhet se kandidati për kryetar duhet të ketë përkrahjen publike të 50%+1 të delegatëve.

Përralla, lojëra të paturpshme e të pamoralshme i ka vlerësuar si tendencat për ndryshime klanore në parti.

Naser Rugova po ashtu ka thënë se ata që e kanë sjellë LDK-në në gjendjen aktuale, nuk bën të kenë asnjë rol më në këtë parti.

“Shumë i zhgënjyer me kursin që po përpiqet të shtrojnë njerëzit që e sollën LDK-në në këtë gjendje të mjerueshme.
Si nuk ju vjen pak turp? A keni ndonjë fije morali e nderi apo mendoni që duhet t’ju ndjekim deri në fundin e marrëzisë së egos suaj?
Jam kategorik dhe e di që nuk jam i vetmi. Njerëzit që e kanë sjellë LDK-në në këtë gjendje nuk duhet të kenë as edhe një rol të vetëm në procesin e rimëkëmbjes së partisë!

LDK-ja ka ardhur në këtë gjendje si rezultat i lojërave të këtyre njerëzve, që nuk kanë vlerësuar veprimtarët dhe që partinë e kanë trajtuar si biznes privat.
Nuk do të lejojmë më që kryetari të zgjedhet në tavolinë, nuk do të lejojmë që kryetari të zgjedhet dikush që përfaqëson vetëm interesa grupesh e klanesh. Mjaft më me këto eksperimente të poshtra dhe antidemokratike. Klanet dhe lojërat tuaja na kanë sjellë në këtë pikë? Çfarë doni më shumë? Doni të biem nën prag zgjedhor?

E para që duhet të bëjmë është që të shfuqizojmë nenin antidemokratik në statutin tonë (atë që kandidati për kryetar duhet të ketë përkrahjen publike të 50%+1 të delegatëve) që kjo kryesi e ka futur për të bllokuar vullnetin e lirë të anëtarësisë sonë. Secili anëtar i LDK-së duhet të ketë të drejtë të kandidohet për kryetar dhe votimi gjithmonë duhet të jetë i fshehur. Nuk ka rrugë tjetër. Mjaft më kemi duruar përralla me mbret të atyre që, strikt për interesa të veta, për një dekadë e kanë mbajtur peng LDK-në.

Kanë shkelur aktivistët e devotshëm dhe kanë promovuar servilë. Ka ardhur koha që ta themi troç dhe dështimin dhe fajtorët t’i cilësojmë me emër. Nuk mund askush të fshihet pas dorëheqjes së kryetarit Isa Mustafa.
Të keqen duhet ta çrrënjosim jo vetëm në qendër, por edhe degë më degë.
Mjaft më me hi syve!

Le të vendosë antarësia”, shkruan Naser Rugova në reagim.