Shpërfaqet anti-amerikanizmi i Kurtit, i kapet ambasadorit Hill për deklaratën e sotme për bombardimet e NATO-s

Kryeministri i Kosovës i është kapur për deklaratën e dhënë sot nga ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili shprehu ngushëllime për viktimat në Beograd nga fushata bombarduese e NATO-s, gjë që e kishte bërë më 2016-ën edhe presidenti aktual amerikan, Joe Biden.

Në organizim për nder të 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Kurti ka deklaruar se “askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd”.

“Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni!” ka thënë ai, sipas Zyrës së Kryeministrit.

Në fjalimin e tij në një ballkon të ndërtesës së Qeverisë, Kurti ka ironizuar me iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.

“Ndryshe nga Iniciativa Rajonale e Ballkanit të Hapur, stafi im më pat propozuar Iniciativën e Ballkonit të Hapur me miqtë, të cilën e përqafova me gjithë zemër. Ndaj ju mirëpresim sërish, në nismën më të re: Ballkoni i hapur”, ka thënë shefi i ekzekutivit.