Shpend Ahmeti iu reagon Kurtit e Hazirit pasi u vaksinuan: Mosni ju lutem!

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas marrjes së vaksinave anti-covid nga kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, duke thënë se me 24 mijë vaksina të siguruara s’ka nevojë për sensibilizim nga udhëheqësit politik për marrjen e vaksinave.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti e ka quajtur banalitet marrjen e vaksinave nga politikanët e rinj e të shëndoshë.

Ai u ka bërë thirrje politikanëve që të heqin dorë nga vaksina edhe nëse iu ofrohet, meqenëse 24 mijë vaksina nuk mjaftojnë as për punëtorët shëndetësor e të moshuarit.

“Një vaksinë që ju e merrni është një vaksinë më pak për dikë në nevojë që mund të rrezikojë jetën. Nuk po them që duheni me u sëmu me covid, por sakrificë në këtë rast është me hjek dorë prej vaksinës edhe në qoftë se ju ofrohet.  Së shpejti do të ketë mjaft.  Mosni ju lutem!”, ka shkruar Ahmeti.