Shpalli kandidaturën për kryetar të Drenasit edhe për një mandat, Lladrovci merr përkrahje nga disa bashkëpartiakë

Drenica gjithmonë ka qenë dhe është bashkë, kur bëhet fjalë për interesin nacional, kështu e nisi shkrimin e tij kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, shkrim në të cilin tregon se po merr mbështetje për kandidimin e tij për kryetar të Drenasit.

Lladrovci falenderon Azem Sylën, Sejdi Hoxhën(deputet i PDK-së në legjislaturën e fundit) e Labinot Halilajn për përkrahjen që i dhan kandidimit të tij, kandidim ky i bërë publik nga Lladrovci para disa ditësh.

Këtë kandidim Lladrovci e kishte bërë pa mbështetjen zyrtare të partisë, madje para shpalljes së kandidaturës së tij, ai kishte thënë se ka persona brenda PDK-së që nuk po e duan kandidimin e tij edhe për një mandat.

Postimi i tij i plotë:

Drenica gjithmonë ka qenë dhe është bashkë, kur bëhet fjalë për interesin nacional.

Falënderoj Azem Syën, Sejdi Hoxhën dhe Labinot Halilajn për vizitën dhe përkrahjen me rastin e nominimit tim për kryetar të komunës në mandatin e ardhshëm. Kjo përkrahje, ka kuptim në funksion të mirëqenies së qytetarëve, përmirësimin e kushteve të jetës për qytetarët tanë, duke e bërë datën 14 shkurtin, datë të festës për votën e fuqishme të qytetarëve të komunës tonë dhe Drenicës për PDK-në.

Djepi i UÇK-së, Drenica, vatra e luftës dhe çlirimit, është rritur në nivel nacional falë unitetit tonë, duke u identifikuar pas çlirimit si bastion i PDK-së. Edhe sot, ashtu siç e kam cekur më herët, do të jemi unik, si asnjë herë më parë, sepse, vizioni ynë për fuqizimin e shtetit, për zbatimin e ligjit dhe mundësive të barabarta, janë frymëzimi ynë.

Dhimbja jonë, nga 6 nëntori 2020, është e lidhur me ndalimin e padrejtë të liderëve tanë në Hagë, andaj përkushtimi ynë për fitore, do të jetë i motivuar më shumë se çdo herë në Kosovën e lirë dhe kauzat e udhëheqësve tanë drejt çlirimit dhe fuqizimit të shtetit.
Uniteti ynë, ka qenë dhe është çelësi i fitores!