Brenda 1 jave kreu dy grabitje, ku vodhi rreth 750 euro, por nuk shkoi shumë dhe ra në prangat e Policisë.

22 vjeçari Gentrit Avdia, u arrestua më 21 janar të këtij viti.

Tashmë, Gjykata Themelore e Gjilanit e ka dënuar atë me 5 vjet burgim dhe 1000 euro gjobë.

“I akuzuari me datë 14.01.2022, në ora 20:41 minuta, në rrugën ‘Avdulla Presheva’, respektivisht në Marketin ‘Bum’, i kamufluar me një kapelë dhe maskë, hynë në market dhe ndalet tek arka dhe me një armë të ftohtë – thikë, e kanos arkëtaren dhe nga arka arrin të grabisë një sasi të hollave, në vlerë të përgjithshme 150 euro dhe ik në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ata japin detaje edhe për rastin tjetër të grabitjes.

“Po ashtu, me datë 20.01.2022, në ora ora 19:24, në rrugën “Hamdi Kurteshi”, respektivisht në Marketin ‘Molla Express’, në Gjilan, i pandehuri i kamufluar me një kapelë, maskë, dorëza në duar hynë në market dhe nën kërcënimin e armës së ftohtë – thikë ndaj arkëtares ka arritur të grabis nga arka shumën prej 600 Euro dhe të largohet në drejtim të panjohur”, thuhet tutje në komunikatë.

Gjatë hetimeve, në shtëpinë e të dyshuarit atëkohë, ishin gjetur para në vlerë prej 405 euro dhe një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në grabitjen e dytë.