Short i lehtë në 1/8 e finales, por Italinë e pret “ferri” në çerekfinale

11 kombëtare nga dje e kanë siguruar kualifikimin tutje në Kampionatin Evropian. Grupi A, B dhe C kanë përfunduar tri xhirot, nga ku janë mësuar shtatë kombëtare të kualifikuara.

Italia, Uellsi dhe Zvicra janë kualifikuar tutje nga grupi A, Belgjika dhe Danimarka nga grupi B dhe Holanda e Austria nga grupi C.

Grupet D, E dhe F do t’i luajnë ende xhiron e fundit, por katër skuadra tashmë e kanë siguruar kualifikimin tutje. Çekia dhe Anglia e kanë siguruar kualifikimin tutje nga grupi D, Suedia nga grupi E dhe Franca nga grupi F.

Dy çiftet e para të 1/8 së finales tashmë janë mësuar. Italia përballet me Austrinë në “Wembley” të Londrës më 26 qershor me fillim nga ora 21:00, kurse në po të njëjtën ditë nga ora 18:00, Uellsi takohet me Danimarkën.

Ky short është i lehtë për Italinë, por “Azzurët” do të kenë punë jashtëzakonisht të vështirë në çerekfinale nëse arrijnë të kualifikohen. Fituesi i ndeshjes mes Italisë dhe Austrisë përballet me fituesin e ndeshjes mes Belgjikës dhe njërës skuadër nga vendet e treta të grupit A, D, E dhe F.

Nëse edhe Italia edhe Belgjika kualifikohen në çerekfinale do të përballen mes vete, ku pa dyshim do të ishte njëra prej ndeshjeve më të zjarrta të Evropianit.