Shoqata e Bankave ndan 25 mijë euro për familjen e policit që ka ndërruar jetë në Istog

Shoqata e Bankave të Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 25 mijë euro për familjen e policit Izet Demaj, i cili u vra dje në Istog.

Lajmin e ka bërë të ditur, Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook.

Duke u shprehur mirënjohje bankierëve për këtë rast, Haradinaj ka thënë se ky gjest dëshmon se qytetarët e vendit e çmojnë sakrificën e Demajt.

“Sapo pranova një telegram ngushëllimi nga Shoqata e Bankave të Kosovës, përmes së cilit po ashtu më njoftojnë se kanë marr vendim për ndarjen e 25 mijë eurove për familjen e policit të ndjerë Izet Demaj. Mirënjohje bankierëve të vendit për këtë gjest, i cili dëshmon se qytetarët e vendit e çmojnë sakrificën kulmore të policit Demaj që me heroizmin e tij promovoi një vlerë të re, me jetë në mbrojtje të ligjit”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, sot kabineti i kryeministrit të Kosovës ka nisur takimin e mëngjesit me një minutë heshtje në nderim të policit, Izet Demaj.

Polici Izet Demaj u vra të enjten nga një person i armatosur derisa po tentonte të kryente një grabitje të armatosur në bankë në Istog.

Për vrasjen e policit, mbrëmë janë arrestuar dy persona, ndaj të cilëve sot është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.