Podujevë
Shoqata ‘Bereqeti’ në Podujevë, shpërndau 100 pako ushqimore për familjet në nevojë
Shoqata bamirëse humanitare “Bereqeti” në Podujevë, e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, ka shpërndarë sot mbi 100 pako me gjëra ushqimore dhe 2 mijë kilogram miell për familjet të cilat jetojnë në kushte të rënda ekonomike.
Këto pako kishin vlerën e 25 eurove duke përmbajtur disa gjëra elementare ushqimore.
Koordinatori i kësaj shoqate, Kujtim Hyseni, këtë kampanjë e ka quajtur tradicionale.
“Shpërndarja e pakove ushqimore është kampanjë tradicionale në kuadër të Bashkësisë Islame në çdo vit e bëjmë këtë iniciativë në kuadër të “Sofrës së Ramazanit”, që për një sofër ka vlerë 25 euro, që kemi paraparë, e ne kemi grumbulluar mbi 100 pako ushqimore”, ka thënë Hyseni.
Ai ndër të tjera ka shtuar se nuk është e lehtë kjo fazë, duke e marrë parasysh kohën e pandemisë që po përballemi që shumë kohë.
Shpërndarja e këtyre ndihmave u bë në objektin e Bashkësisë Islame në Podujevë.