Të paktën tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit.
Kjo është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.
Ndërkohë është duke vazhduar aksioni për kërkim-shpëtim të personave të mbetur nën rrënoja.
Deri më tani rreth 165 persona janë të lënduar, 12 janë të shtruar në spitali e Durrës dhe 60 në QSUT.
Një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter tronditi Shqipërinë rreth orës 03:54 të së martës. Për pasojë banesa dhe pallate pësuan dëmtime të shumta duke zënë poshtë edhe njerëz. Më pas tërmeti u pasua edhe me lëkundje të tjera të forta.
Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme për ta ndihmuar Shqipërinë. Njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës tanimë janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti.
Edhe kancerlarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka vënë në lëvizje mekanizmin e ndihmës në emergjencë për Shqipërinë pas tërmetit të mëngjesit të orëve të hershme.







