Shkoi në shtëpinë e gabuar, hetuesi amerikan ia vret qenin fëmijës veç pse i lehu

Një familje amerikane në Arkansas është shumë e zemëruar pasi një hetues policor ua vrau qenin shtëpiak, kur e kishte gabuar adresën dhe po e kërkonte një të dyshuar për sulm seksual.

Incidenti ndodhi të hënën e kaluar në Greenbrier të Arkansasit. Hetuesi policor i identifikuar si James Freeman, shkoi para shtëpisë në rrugën “Autumn Hills” për të kontrolluar, ndonëse adresa e saktë ishte dy shtëpi më poshtë.

Kur hetuesi policor doli nga vetura, qeni kishte lehur. Ai e shkrepi armën një herë, duke e vrarë kafshën e familjes Coiner, shkruan Daily Mail

Në një video të publikuar që është bërë nga pronari i qenit, Chris Coiner, burri shfaqet i zemëruar duke i bërtitur hetuesit, i cili duket se fare nuk është prekur nga veprimi pasi shihet duke u kthyer në veturë krejt i qetë.

“E dashura ime ishte duke shikuar nga dritarja, qeni nuk ishte duke e sulmuar atë (hetuesin), qeni po lehte në oborrin tim, në pronë private. Ai sot është në punë, ndërsa qeni im mbrojtës kurrë më s’do të punojë sepse ai ma vrau dje”, tha Coiner për një televizion lokal.

“Ai nuk bëri asnjë përpjekje për t’u larguar, nuk bëri asnjë përpjekje për t’u kthyer në veturë. E tëra që bëri ishte që ta qëllonte qenin, sepse ai i lehte”, shtoi pronari.