Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës, Bersant Celina, po e dëshmon aftësinë e tij në çdo ndeshje të Swansea Cityt në Championship, niveli i dytë i futbollit në Anglinë.
Sot, Swansea City arriti ta fitojë me rezultat 3:1 ndeshjen kundër Middesbrough, e cila po zhvillohej në kuadër të xhiros së 40-të të Championshipit. Këto tri pikë, ata i siguruan falë paraqitjes mbresëlënëse të Bersant Celinës.

Edhe pse nuk e shënoi asnjërin gol të skuadrës së tij, Celina e mori vlerësimin më të lartë nga të gjithë lojtarët në fushën e lojës. Ai u vlerësua me 9.0, të paktën 1.1 notë më shumë se cilido futbollist tjetër.
Këtë notë, Celina e fitoi për shkak të dy asistove të tij, për golin e dytë dhe të tretë, si dhe përfshirjen në pothuajse çdo aksion të skuadrës së tij. Ai kishte qenë shumë afër për ta arritur një het-trik asistesh, mirëpo bashkëlojtari Joel Saro nuk u tregua i saktë para portës. Celina i ka shënuar tetë gola dhe i ka asistuar gjashtë të tjera për skuadrën e tij këtë sezon. Por, megjithatë këto nuk po mjaftojnë që Swansea City ta sigurojë promovimin në Premierligë.







