Shifra shqetësuese: Për 24-orë tetë raste të dhunës në familje, një kanosje

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur tetë raste të dhunës në familje dhe një rast i kanosjes, bëhet e ditur në raportin e Policisë.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastet në raportin 24-orësh.

“Rr. Nazim Gafurri 18.04.2021-14:00. Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se ishte kanosur nga ish i fejuari i dyshuari mashkull kosovar. Pas intervistimit të  dyshuarit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në raportin e policisë, ku bëhet e ditur se një rast i dhunës në familje ka ndodhur edhe në Fushë Kosovë.

“Fushë Kosovë 18.04.2021-15:30.Viktima femër kosovare ka njoftuar se në vazhdimësi është duke u kanosur dhe fyer nga bashkëshorti i saj (i dyshuari) mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Një grua në Prishtinë ndërkaq është sulmuar fizikisht nga burri i saj dhe e njejta është detyruar që së bashku me fëmijët të largohet nga banesa.

“Prishtinë 18.04.2021-19:20.Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari (bashkëshorti i saj) mashkull kosovar. Viktima me dy fëmijët e saj ishte larguar nga banesa e tyre dhe kishte shkuar tek familja e saj pasi që ndihet e sigurt. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore por e njëjta nuk ka pranuar  tretman mjekësor. Nuk raportohet për arrestimin e te dyshuarit”, thuhet në raport.

Një person ndërkaq është arrestuar në Hajvali pasi që i njëjti dyshohet për dhunë në familje.

“Hajvali, Prishtinë 16.04.2021-11:30.Lidhur me rastin me datë 18.04.2021 rreth orës 10:00 i dyshuari mashkull kosovar është vetë paraqitur në stacion policor dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh.

Raste të dhunës në familje ka pasur edhe në Prizren dhe Suharekë.

” Prizren 17.04.2021-13:20.Viktima femër kosovare ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

 Suharekë 16.04.2021-18:00.Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj mashkull kosovar. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari dhe urdhër të prokurorit kujdestar është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

 Raste të dhunës në familje ka pasur në Klinë dhe në Gjakovë.

“Klinë 18.04.2021-16:00.Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari (bashkëshorti i saj) mashkull kosovar. Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësor dhe e njëjta me kërkesën e saj dërgohet në familjen e saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari  dhe me vendim të prokurorit kujdestar, te dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjakovë 18.04.2021-23:40.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësor si dhe strehimi, mirëpo  e njëjta ka refuzuar strehimin dhe me dëshirën e saj është kthyer tek shtëpia e bashkëshortit. Me vendim të prokurorit kujdestar, te dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në raport.

Në Mitrovicë ndërkaq është raportuar një rast i kanosjes.

 “Mitrovicë 18.04.2021-17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti përmes sms-ve  ka kanosur ish bashkëshorten (viktimën) femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.