Punimet infrastrukturore në Junik po vazhdojnë me intensitet të lartë edhe gjatë fundjavës. Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se sot ka qenë në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve në rrugët “Shyt Idrizi” dhe “Ali Salihu”, në lagjen Berishë.
Sipas Shehut, këto dy rrugë përbëjnë hallka të rëndësishme në realizimin e projektit madhor të ndërtimit të Rrugës Unazore të qytetit, një projekt i shumëpritur nga qytetarët e Junikut.
“Jemi të vendosur që të mos ndalemi asnjë ditë derisa të përfundojmë çdo detaj. Unaza e qytetit po bëhet realitet”, ka theksuar ai, duke nënvizuar përkushtimin e komunës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Ndërtimi i Rrugës Unazore pritet të lehtësojë qarkullimin, të rrisë sigurinë në trafik dhe të ndikojë pozitivisht në zhvillimin urban të qytetit. Punimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në përfundimin e plotë të projektit.







