Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar në lidhje me gjendjen e shtratit të lumit Erenik, duke akuzuar qeverisjen e kaluar për keqpërdorim të milionave euro pa rezultate konkrete.

Shehu tha se shtrati i lumit është më keq se kurrë më parë dhe se kjo gjendje është pasojë e mungesës së ndershmërisë dhe profesionalizmit në punën komunale.

“Qeverisja e kaluar e 12 viteve në Junik ka shpenzuar me miliona euro në emër të shtratit të lumit Erenik. Mirëpo shtratit i Erenikut sot është më keq se kurrë më parë. Ky është rezultati kur nuk punohet me ndershmëri dhe me profesionalizëm,” deklaroi Shehu.

Ai premtoi se gjatë mandatit të tij të dytë, kjo çështje do të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, duke garantuar se shtrati i Erenikut do të rregullohet me standardet më të avancuara ndërkombëtare.

Shehu gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve për mbështetje, duke theksuar se Juniku nuk duhet të kthehet në duart e atyre që, sipas tij, “trupin e kanë në Junik e kokën në Deçan” dhe që projektet i kanë realizuar keq, duke dëmtuar buxhetin dhe imazhin e komunës.

Në përfundim, ai theksoi se synimi i tij është që të vazhdojë mandatin e dytë me moton: “+4 pa balotazh”.