Shefqet Krasniqi me tjetër koment për vendosjen e zemrës së derrit: 4 kushtet kur lejohet

Një 57-vjeçari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë i pari person që i transplantohet zemra me organin e ri që është marrë nga një derr i modifikuar gjenetikisht.

Lajmi ka ngjallur debate të shumta, ku në mes janë përfshirë edhe përfaqësues fetar. Së fundmi i ftuar në “ABC Live” ishte hoxha, Shefqet Krasniqi, i cili edhe pse ka thënë se derri është haram (i ndaluar) në fenë islame, ka disa kushte të jashtëzakonshme që mund të pranohet për qëllime shëndetësore.

Krasniqi është shprehur se derri lejohet të përdoret vetëm në raste domosdoshmërie dhe vërtetuar shkencërisht. Një kusht tjetër sipas Krasniqit është kur personi është mes jetës dhe vdekjes dhe në këtë rast lejohet përdorimi i mishit, produkteve apo organeve të derrit. Kushti i tretë sipas Krasniqit është që shkenca të vërtetojë që gjymtyra e derrit funksionon dhe shpëton jetë tek njeriu dhe nëse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Ndërsa kushti i fundit sipas hoxhë Krasniqit është që gjymtyra e transplantuar të mos sjellë efekte negative në jetën e njeriut.

“Pra edhe derrin nuk duhet të përdorin përderisa ka një mënyrë tjetër hallall. Lejohet në raste domosdoshmërie kur është mes jetës dhe vdekjes. Të vërtetohet se nuk ka zgjidhje të tjera. Dhe të vërtetohet që kjo gjymtyrë apo transplant të ketë funksion. Kushti tjetër që pasojat janë më të vogla dhe të mos ketë efekte anësore. Nëse plotësohen këto kushte këto janë të lejueshme. Lejohen në disa raste ekstreme”, tha hoxhë Krasniqi për “ABC Live”.

Ditë më parë, ai tha se vendosja e zemrës së derrit në trupin e një amerikani është “degradim i fjalës së Zotit”.