Caroline Ziadeh

Shefja e UNMIK-ut në Serbi, flet me Dacic dhe Petkovic për votimet e 21 prillit dhe për Asociacionin

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka qëndruar në Serbi përgjatë dy ditëve.

Ajo në Beograd ka takuar ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq dhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Siç njofton Zyra e UNMIK-ut, Ziadeh më ta ka folur për disa tema, përfshirë raportin e ardhshëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së përpara seancës së ardhshme të planifikuar të Këshillit të Sigurimit për UNMIK-un më vonë gjatë prillit.

“Ziadeh theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve me mirëbesim për të gjetur zgjidhje kompromisi brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Këto përfshinin përpjekjet që po ndërmerren për zgjidhjen e çështjeve të monedhës në zonat me shumicë serbe të Kosovës, perspektivat për zgjedhje të reja lokale në komunat veriore të Kosovës dhe hapat e nevojshëm drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Diskutimet mbuluan gjithashtu një sërë çështjesh për forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.