Shefi i QKMF-së në Fushë Kosovë jep detaje për 15 vjeçarin që u rrah dhe u godit me çekiç

Remzi Shala, shef i qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, ka folur për Ballkani.info rreth lëndimit të 15 vjeçarit E.Tërnava të dielën në fshatin Lismir të kësaj komune.

Shala ka thënë se djaloshi është sjellë në QKMF nga familjarët e tij dhe se ka pasur lëndime të shumta, por jo shumë të mëdha.

“Djaloshi për të cilin ju po flisni është sjellë nga familjarët e tij dhe ka pasur disa gërvishtje në kokë, lëndime më të rëndë në dorën e majtë dhe në gjoks. Ai ka ardhur tek ne me vetëdije dhe pa gjakderdhje të jashtme”, ka thënë Shala.

E.Tërnava u rrah të dielën nga Zymer Tërnava, djali i axhës së myftiut të Kosovës, Naim Tërnava.

Fillimisht mediat thanë se personi që rrahu të miturin ishte vëllai i kryetarit të BIK-ut, megjithatë vetë Tërnava për Ballkani.info e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai këtë raportim e ka quajtur shpifje, duke sqaruar se vëllezërit e tij as që jetojnë në fshatin Lismir.


Vendi ku ka ndodhur përleshja

E burime të portalit tonë kanë thënë se për këtë rast janë arrestuar mbrëmë pesë persona, përfshirë edhe babain e të lënduarit.

Mendohet se Zymer Tërnava e ka goditur 15 vjeçarin me çekiç, si dhe e ka hedhur nga urë që gjendet në këtë fshat.

“Zymeri ka ardhur me veturën e tij në këtë anë dhe në urën e fshatit ka rastisë të kalojnë dy palët. Ky 15 vjeçari ka qenë me një të afërm të tij, duke kaluar nëpër urë bagëtinë, respektivisht lopët. Zymeri ka ardhur me veturë në atë moment dhe ka kërkuar nga 15 vjeçari që t’i largojë më shpejt lopët nga rruga që të kalojë. Me këtë rast aty edhe janë fjalosur ku edhe ka ndodhur rrahja”, rrëfen një banor i fshatit në kushte anonimiteti. /Ballkani.info/