‘Shefi’ i Kurtit mund t’i humbas zgjedhjet në Spanjë| Çka nëse mposhtet sot Sanchez?

The Guardian shkroi sot që Spanja mund të kalojë nga udhëheqja e majtë në atë të djathtë. Dhe madje, përveç që partia konservatore e Popullit (PP) pritet të dalë e para, ajo mund të detyrohet që ta marrë me vete në qeveri Vox-in, partinë populiste të ekstremit të djathtë.

Të dyja këto parti që mund të marrin pushtetin e akuzojnë Sánchezin se është varur së tepërmi nga partitë separatiste baske dhe katalane. Dhe pikërisht këtu, qëndron potencialisht edhe çështja e Kosovës.

Kosova

Aktivisti kosovar Lulzim Peci pretendon që fitorja e të majtës (pra, e kryeministrit aktual me partnerët aktualë qeveritarë) do të ishte një lajm i mirë për Kosovën dhe për rrjedhë, lajm i keq nëse fitonte opozita e djathtë.

“Nëse e majta fiton sot në zgjedhjte e përgjithshme në Spanjë, mund të pritet një qasje fleksibile e Madridit ndaj Kosovës, mirëpo nëse fiton e djathta, mund të pritet rikthimi në pozicionin e ngurtë, në mos më të vrazhdë se ish-qeveria e Rajoyit.” – shkroi ai.

Por, a është vërtet kështu?

Sánchezi dhe Kosova

Së pari, duhet thënë se kryeministri aktual spanjoll e njeh mirë situatën në rajonin tonë pasi ishte i përfshirë direkt në to. Ai ishte pjesë e stafit të përfaqësuesit të lartë të OKB-së në Bosnje, z. Carlos Westendorp.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Sánchezi u bë praktikisht shef i kryeministrit tonë Albin Kurtit në Internacionalen Socialiste. Ai ishte zgjedhur President i Internacionales Socialiste në një kongres ku mori pjesë vetë Kurti.

Kryeministri ynë në atë kongres ishte shprehur se Kosova ishte “një nga vendet më demokratike në rajonin tonë.”

“Opozita jo vetëm që mund të fitojë zgjedhjet në vendin tonë, por edhe mund të shënojë fitore plebishitare – siç kemi dëshmuar më 14 shkurt 2021.” – shprehej Kurti në atë kohë.

Kryeministri ynë do të jepte një ditë më pas një intervistë për spanjollen El Periodico ku do të fliste pikërisht për për çështjen e Katalonisë dhe krahasimet e vazhdueshme që i bëhen me Kosovën, shkruan Nacionale.

“NATO ka intervenuar në Kosovë në pranverën e 1999-s për të parandaluar gjenocidin që kryente regjimi i Sllobodan Millosheviqit. E nëse ndonjë politikan spanjoll sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Katalonisë, apo cilësdo tjetër pjesë të Spanjës, Madridi nuk do të duhej ta shihte veten si Beogradi.” – shprehej kryeministri.

Në të njëjtën intervistë, Kurti shprehej se Spanja ishte faktor vendimtar për Kosovën.

“Gazetari: A ju ka dhënë ndonjë shenjë inkurajuese Pedro Sánchezi?

Kurti: Takimi ynë në Berlin ka qenë i përzemërt, por nuk mund të flas për ndonjë përparim konkret. E para, çka pres nga Pedro Sánchez është që ta mbështes integrimin tonë në Këshillin e Evropës…” – shprehej ai.

Fatkeqësisht, Spanja madje as nuk kishte abstenua kur u votua për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kishte votuar kundër. Dy shtete tjera mos-njohëse në BE, Greqia dhe Sllovakia, kishin abstenuar në këtë votim.

Ndërrimi i qëndrimit për statusin e Kosovës nga shtetet mos-njohëse është bërë veçanërisht i rëndësishëm pas pajtueshmërisë së Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Megjithëse nuk ka pasur garanci të shkruar, besohet që zbatimi i kësaj marrëveshjeje potencialisht mund të zbuste qëndrimet e pesë shteteve mos-njohëse të BE-së dhe NATO-s.

Spanja edhe gjatë qeverisë së Sánchezit ka vazhduar të mbajë një prej qëndrimeve më të ngurta kundër Pavarësisë së Kosovës.