Shefi i EULEX’it e lavdëron Hotin: Sa kryeministra të tjerë të Ballkanit Perëndimor do t’i kursenin paratë si ai?

Kryeministri Hoti ka udhëtuar dje në Bruksel, me ç’rast nesër fillojnë bisedimet me Serbinë. Deri më tani zyra për informim e Kryeministrisë nuk ka njoftuar se shefi i Qeverisë ka udhëtuar për në kryeqytetin evropian. Këtë e ka bërë shefi i EULEX-it i cili e ka parë Hotin në aeroplan.

Përmes një postimi në Twitter, shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka lavdëruar Hotin që ka udhëtuar në klasën ekonomike e jo në atë të biznesit.

“Heqim kapelat për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili sot udhëtoi me ne në klasën ekonomike në aeroplanin Prishtinë – Vjenë dhe më pas në aeroplanin nga Vjena në Bruksel. Sa kryeministra të tjerë të Ballkanit Perëndimor do t’i kursenin të hollat e taksapaguesve në këtë mënyrë?”, ka shkruar Wigemark.