Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, tha sot, duke komentuar takimin e paralajmëruar të përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, se pret që të mos ketë përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve dhe të dy palët t’i kthehen dialogut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se në ditët e ardhshme pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, transmeton Ballkani.info.

“Është gjithmonë e rëndësishme që të bëhet gjithçka në fuqinë tonë për të de-përshkallëzuar tensionet, që të mos ketë përshkallëzime të mëtejshme dhe që të dyja palët të kthehen në tavolinë, dhe kjo do të thotë vazhdimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Fajon në një konferencë mediatike në kuadër të forumit të 12-të të strategjisë së BE-së për rajonin e Danubit në Brdo të Kranjës.

Shefi i diplomacisë austriake, Alexander Schallenberg, theksoi se është e rëndësishme që Serbia të sjellë para drejtësisë pjesëmarrësit e konfliktit në Banjskë.

“Është diçka që duhet të bësh. Të festosh për dikë që kreu vrasje si hero është diçka që nuk është pritur mirë në Evropë”, u tha Schallenberg gazetarëve. /Ballkani.info/