SHBA vazhdon ta dridhë Ballkanin, Gruevski, Mijalkov e Maroviq përfundojnë në listë të zezë

Departamenti Amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të re të sanksioneve dhe mes emrave është edhe ai i ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski. Bashkë me të, nën sanksionet e SHBA-së u fut edhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijalkov. Po ashtu, SHBA-ja e ka sanksionuar edhe ish-presidentin malazez, Svetozar Maroviq.

“Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike në të dy vendet dhe gërryen besimin e publikut në qeveritë e tyre”, thuhet në njoftim.

“Nikola Gruevski është dënuar dhe mbetet i dyshuar në disa çështje korrupsioni, dhe është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016. Ai e ka shmangur vazhdimisht arrestimin e vet për dënimin e vitit 2018 nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për akuza të lidhura me korrupsionin, gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Gruevski është pronar dhe drejtues i kompanisë hungareze I.C.I.C. KFT, e cila është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Pecel, Hungari”, thuhet në njoftimin e lëshuar sot.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, Gruevski “ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor”, ndërsa përmendet përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, si dhe ryshfete.

Sasho Mijalkov, i cili ishte shef i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut, dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë të manipulimit të votave dhe një operacion të gjerë përgjimi të paligjshëm që shënjestroi 20,000 njerëz, përfshirë politikanë të opozitës, gjyqtarë dhe gazetarë.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, me veprimet e tij, ai kishte siguruar përfitime politike dhe ekonomike dhe kishte nxitur një krizë politike dyvjeçare në vend duke zbuluar ndërhyrjen e pretenduar të qeverisë në gjyqësor, kontrollin mbi disa media dhe ndërhyrjen në zgjedhje.

“Në shkurt të vitit 2021, për shkak të rolit të tij si organizator kryesor i skemës së përgjimeve, ai u dënua nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim kriminal, shpërdorim detyre dhe marrjen e shpërblimeve për ndikim të paligjshëm. Më vonë, në prill 2021, një gjykatë në Maqedoninë e Veriut e dënoi Mijalkovin për shpërdorim pushteti në lidhje me një marrëveshje prokurimi për pajisje survejimi”, thuhet në njoftim.

Ish-presidenti malazez, Svetozar Maroviq ishte arrestuar nga autoritetet malazeze në vitin 2015 për përfshirje në rastet e korrupsionit në shkallë të gjerë lidhur me projektet e ndërtimit në komunën e Budvës.

“Prokurorët malazezë akuzuan Maroviqin se përdori ndikimin e tij si një zyrtar i lartë në DPS për të miratuar një sërë blerjesh pronash dhe marrëveshjesh ndërtimi që korrën fitime të mëdha për disa kompani, por shkaktuan humbje të konsiderueshme për qeverinë vendore”, thuhet në njoftim.

Departamenti amerikan i Thesarit thotë se Maroviq ishte dënuar me më dy vite burgim dhe ishte urdhëruar t’ia kthente shtetit mbi 1 milion dollar, por ishte arratisur në Serbi para se ta vuante dënimin.