Anthony Blinken

SHBA uron qytetarët e Kosovës në 14 vjetorin e pavarësisë, Blinken: Do të qëndrojmë krah jush, pavarësia dhe sovraniteti janë të pacenueshme

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka uruar qytetarët e Kosovës në 14 vjetorin e pavarësisë, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

Blinken në një deklaratë në 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë thekson se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacenueshme, ndërsa u shpreh ndërtimi i institucioneve demokratike dhe gjithëpërfshirëse kërkon këmbëngulje.

“Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në vlerat tona të përbashkëta demokratike. Si një nga demokracitë më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin që keni bërë gjatë këtyre 14 viteve. Ne jemi krenarë t’ju mbështesim në këtë përpjekje”, thuhet në deklaratën e sekretarit amerikan, Blinken, raporton Telegrafi.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës derisa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

Ne presim që Kosova me të drejtë të zërë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ritheksojmë mbështetjen tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyrë për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara, të përqendruara në njohjen reciproke”, thuhet në deklaratën e sekretarit amerikan.

Ai po ashtu thekson se SHBA-të i janë mirënjohës lidershipit të Kosovës për bujarinë e treguar në pritjen e afganëve të cenueshëm dhe kontributin e Kosovës për sigurinë dhe stabilitetin global.

“Iu uroj paqe, prosperitet dhe shëndet të mirë popullit të Kosovës, ndërsa vazhdoni rrugëtimin tuaj demokratik. Ne do ta forcojmë miqësinë tonë të palëkundur, së bashku”, thuhet në fund të deklaratës së Blinken në 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.