SHBA-të janë të gatshme që të organizojnë nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi sipas modelit të nënshkrimit të marrëveshjes maqësore ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit në vitin 1978, thotë Ivica Daçiq.

Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, për Tv Prva ka shtuar se pas të gjitha atyre që kanë ndodhur kohëve të fundit shihet se deri tek marrëveshja nuk do të arrihet shpejt.

“Kanë qenë të gatshëm që të organizojnë nënshkrimin në momentin kur ne të merremi vesh, pasi që ata nuk janë pjesë e dialogut dhe nuk e përcaktojnë kohën për të, por e gjithë kjo që po ndodh tash me Haradinajn dhe masat e pakuptimta nga Prishtina, flasin se zgjidhja nuk do të jetë shpejtë”, ka thënë Daçiq, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, letrat e presidentit amerikan, Donal Trump dërguar presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi kanë pasuar si “një lloj i dhënies së mbështetjes për procesin paqësor”.

Ai ka thënë se ndryshimet në pozitën e presidentit të SHBA-ve dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, ka bërë që “çështja e Kosovës mos të vlerësohet e përfunduar”. /Ballkani.info/