Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim të ri në lidhje me keqmenaxhimin nga ana e FBI -së të hetimit për abuzim seksual ndaj ish -mjekut të ekipit kombëtar amerikan të gjimnastikës, Larry Nassar, tha të martën Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco.

“Ndihmës prokurorja e përgjithshme e Divizionit Penal, e sapokonfirmuar, po e shqyrton këtë çështje, përfshirë informacione të reja që kanë dalë në dritë”, i thaMonaco Komisionit Juridik të Senatit të martën, duke shtuar se nuk mund të flasë më hollësisht për këtë çështje.

“Unë dua që komisioni dhe të mbijetuarat ta kuptojnë se ne e marrim jashtëzakonisht seriozisht këtë çështje”, shtoi ajo.

Në një seancë emocionale muajin e kaluar gjimnastet e famshme, përfshirë Simone Biles dhe McKayla Maroney dolën para të njëjtit komision, ku kritikuan FBI-në se kishte dështuar të hetonte siç duhet abuzimet ndaj tyre nga mjeku Nassar.

Seanca mori shkas nga reuzltatet e një hetimi të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, i cili zbuloi gabime të shumta dhe të rënda, si pasojë e të cilave, Nassar vazhdoi të abuzonte me të paktën 70 viktima të tjera para se të arrestohej.

Raporti veçonte dy ish-agjentë të FBI-së, ish-agjentin special në detyrë të zyrës së Indianapolisit W. Jay Abbott dhe një ish-agjent special i cili është identifikuar që atëherë si Michael Langeman.

Inspektori i përgjithshëm i referoi të dy ish-agjentët për ndjekje penale, por Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të ngrejë akuza kundër tyre në shtator 2020.