Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Luke Shaw e ka pranuar se nevojitet vendosshmëri për të luajtur nën drejtimin e Jose Mourinhos dhe të qenurit pjesë e “Djajve të Kuq”.
Reprezentuesi i Anglisë ka qenë i përfshirë në diskutime me trajnerin portugez, derisa Mourinho e kritikoi ashpër ish futbollistin e Southamptonit.
Sidoqoftë Shaw ka nënshkruar kontratë të re me Unitedin pas startit pozitiv gjatë këtij sezoni, gjersa 23 vjeçari ka kërkuar nga bashkëlojtarët të shfaqin maksimumin e tyre në përballjen e sontme me Young Boys në Champions League.
“Duhet të jeni të fortë për të luajtur për këtë trajner dhe këtë klub. Ne duhet të luftojmë për trajnerin, tifozët dhe klubin. Kam nënshkruar kontratë të re për shkak se gjëra të mira do të ndodhin te Unitedi. Është klubi më i madh në botë, dhe ne si lojtarë duhet t’i përshtatemi kësaj”, tha Shaw.
Tutje Shaw shtoi se nuk e di arsyen e rezultateve negative që së fundmi ka koleksionuar klubi nga “Old Trafford”, ndërsa tha të gjithë janë të vetëdijshëm se mund të bëjnë më mirë.
Luke Shaw ka zhvilluar 15 paraqitje këtë sezon me fanellën e Manchester Unitedit në të gjitha garat, kurse ka shënuar edhe një gol.







