Vizat

Shasha thotë se liberalizimi i vizave nuk pezullohet: Fleni të qetë, sot jemi larg këtij skenari

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ka thënë se pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën është shumë pak i mundshëm.

Aktin e pezullimit të vendimit për liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian e ka marrë në raste shumë ekstreme, ka thënë Shasha të martën. Megjithatë, ish-sekretari i Ministrisë së Integrimeve Evropiane thotë se Kosova është larg këtij skenari.

“Pezullimi i liberalizimit të vizave është akt ekstrem që merret në raste ekstreme. Për shembull Rusisë iu pezullua vetëm pasi që pushtoj Ukrainën. Vanautusë iu pezullua vetëm pasi që refuzoj me kokëfortësi të ndal skemën e “pasaportave të arta”. Serbisë nuk iu pezullua liberalizimi përkundër që u shndërrua në portën kryesore të migrimit ilegal në BE”, shkroi Shasha.

“Çfarë dua të them është se standardi i pezullimit te liberalizimit të vizave është shumë shumë i lartë”, theksoi ai. “Ne sot jemi shumë larg këtij standardi.”

Shasha tha se presidenti francez Emmanuel Macron nuk ka thënë asgjë të re, në një kërcënim të tij ndaj Kosovës dhe Serbisë. Macron deklaroi të hënën se presin që edhe Kosova dhe Serbia angazhim të qartë për rrugën përpara. Madje, presidenti francez paralajmëroi masa nëse të dyja vendet “nuk sillen me përgjegjësi”.

“Konteksti i fjalimit të tij ka të bëjë me sigurinë e Ballkanit. Ky ishte fjalimi vjetor para ambasadorëve francez në botë dhe fjalimi ishte fokusuar në pikat neurologjike të botës. Rrjedhimisht ai aty flet 10 sekonda për Ballkanin dhe vetëm në kuptimin e gjësë më të rëndësishme: sigurisë, stabilitetit dhe paqes. Prandaj ai paralajmëron se në raste ekstreme të kërcënimit të sigurisë në Ballkan, patjetër që edhe liberalizimi i vizave mund të pezullohet”, tha Shasha. “Kjo nuk është risi. Por ne sot jemi shumë larg këtij skenari, prandaj përderisa plotësisht mirëkuptoj ankthin që kemi nga kjo puna e vizave duhet të flemë qetë duke ditur se asgjë në BE nuk ka ndryshuar sa i përket kësaj çështje”.

“Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të çështjes së liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”.