Sharjet pas takimit me Newcastle, Mourinho rrezikon të dënohet

Trajneri i Manchester United nuk ka kontrolluar veten pas fitores dramatike ndaj Newcastle dy javë më parë.

Jose Mourinho përjetoi një nga momentet më të vështira te Manchester United gjatë fitores së fundit përballë Newcastle United me rezultatin 3-2.

“Djajtë e Kuq” bënë një rikthim të çmendur në pjesën e dytë, duke përmbysur dizavantazhin e dy golave.

Në fund të ndeshjes Mourinho shpërtheu duke festuar. Ai tha disa fjalë nëpër dhëmbë, me siguri ndonjë përgjigje klasike e tij për kritikët, ndërsa Shoqata e Futbollit anglez ka hapur një hetim kundrejt tij. Federata ka shpërndarë sot lajmin, duke iu referuar zyrtarisht trajnerit me akuzën e përdorimit të një gjuhe “ofenduese dhe/ose fyese dhe/ose të pahijshme”.

Ai rrezikon dënimin, ndërsa ndeshja e radhës në kampionat është kundër ish-skuadrës së tij Chelseat dhe trajneri portugez do ketë kohë deri të premten të apelojë vendimin që do të merret kundrejt tij.