Mes miqsh është mirë të thuhet e vërteta. Gjithmonë. Edhe kur mund të jetë e dhimbshme. Ky rregull është zbatuar edhe nga Xherdan Shaqiri, i cili mund të ketë probleme me Salah dhe tifozët e Liverpool pasi ka përfshirë në formacionin e tij ideal… Sergio Ramosin, armiku numër një i “Të Kuqve” pas dëmtimit që i shkaktoi Salahut në finalen e Championsit të sezonit të kaluar.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Shaqiri e ka lënë egjiptianin jashtë 11-shes. Nëse harrojmë për një moment faktin se të dy janë shokë skuadre, ky përjashtim mund të jetë i pranueshëm, duke parë se treshja e sulmuesve e përzgjedhur nga zvicerani me origjinë shqiptare është e përbërë nga Messi, Lewandowski dhe Cristiano Ronaldo.

Gjithsesi, tifozët e Liverpool mund të kenë probleme edhe me një zgjedhje tjetër të Shaqirit, i cili ka preferuar Manuel Neuer në portë në vend të Alisson.

“Kam shumë kujtime të bukura nga koha e kaluar te Bayerni. Pres me padurim që të kthehem atje dhe të fitoj me Liverpoolin”, ka thënë Xherdani.