Fitorja ndaj Huddersfieldit

Shaqiri vlerësohet lart për asistimin në fitore

Mesfushori Xherdan Shaqiri ka kontribuar me asistim në golin e vetëm të Liverpoolit që fitoi ndaj Huddersfieldit në udhëtim me rezultatin 1-0.

Shaqiri asistoi për golin e shënuar nga Mohamed Salah në minutën e 24-të të ndeshjes së zhvilluar të shtunën, në kuadër të xhiros së nëntë në Premier Leagues. Shaqiri luajti gjatë tërë takimit te Liverpooli, ndërsa dha një pasim mjeshtëror për egjiptianin. Ishte paraqitja e tij e parë 90 minutëshe këtë edicion.

Reprezentuesi i Zvicrës u vlerësua lart për paraqitjen ndaj Huddersfieldit, ndonëse në përgjithësi Liverpooli nuk shkëlqeu. Te skuadra e Huddersfieldit titullar ishte Florent Hadërgjonaj. Mbrojtësi i krahut të djathtë luajti deri në minutën e 69-të.

Mediumet në Angli kanë vlerësuar lart paraqitjen e Shaqirit. 27-vjeçari ka kontribuar me dy asistime në pesë paraqitje në Premier League këtë edicion. Liverpooli zë vendin e dytë me 23 pikë, sa i ka edhe lideri Manchester City, kurse Huddersfieldi është në vendin e parafundit me tri pikë.