Xherdan Shaqiri pritet të jetë titullar për Liverpoolin ndaj West Hamit sonte në ndeshjen e fundit të javës së 25-të në Premierligë, megjithëse nuk bindi në ndeshjen e kaluar si titullar kundër Leicester Cityt.

Skuadra e Jurgen Kloppit udhëton drejt Londrës për t’u përballur me West Hamin me synim që ta kthejë epërsinë prej pesë pikëve ndaj përcjellësit të parë, Manchester Cityt, në krye të renditjes tabelore në ligën elitare angleze.

Shaqiri, kosovari që e përfaqëson Zvicrën, ishte titullar në barazimin 1-1 të të kuqve ndaj Leicesterit të mërkurën, në atë që s’u vlerësua si paraqitje e mirë për standardin e tij.

Megjithatë, duket se trajneri gjerman do t’ia besojë atij përsëri një vend në formacionin e parë sonte në takimin që zhvillohet në orën 21:00.

Liverpoolit i duhet fitorja me patjetër, duke qenë se Manchester City i Pep Guardiolës e shkatërroi Arsenalin të dielën dhe iu afrua në vetëm dy pikë të kuqve, në një garë të ngushtë për titull.

Shaqa, që deri tani ka bërë 19 paraqitje në përgjithësi në Premierligë për të kuqtë duke regjistruar gjashtë gola dhe dy asiste, pritet të jetë titullar për herë të 12-të deri tani këtë sezon.

Një ditë më parë ai u bëri thirrje bashkëlojtarëve të tregojnë mentalitet fitues, duke thënë se e ka mësuar këtë nga koha e tij me Bayern Munichun.

“Duhet ta kemi një mentalitet fitues dhe lojtarët duhet të përqendrohem. Mentaliteti këtu është i ngjashëm. Duhet të bëhesh gati për ndeshje me synimin për të fituar dhe pastaj të japësh gjithçka për ta arritur këtë gjë”, tha Shaqiri.

Formacioni i mundshëm i Liverpoolit:

Alisson; Milner, Matip, Van Dijk, Robertson; Henderson, Wijnaldum; Shaqiri, Firmino, Mane; Salah.