Xherdan Shaqiri nuk pritet të jetë titullar as për ndeshjen e së dielës të Liverpoolit, kundër Evertonit.

Nëse 27-vjeçari mbetet në stol përsëri, atëherë kjo do të jetë ndeshja e gjashtë radhazi që ai nuk është startues.

Ish ylli i Stoke Cityt i ka bërë 21 paraqitje në Premierligë këtë sezon, mirëpo ai ka luajtur mesatarisht 48 minuta për ndeshje, pasi që Klopp preferon më shumë ta aktivizojë atë nga banka rezervë.

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, e ka publikuar formacionin e parë me lojtarët të cilët pritet t’i zgjedhë trajneri Jurgen Klopp dhe Shaqiri nuk është pjesë e këtyre 11 futbollistëve.

Shaqiri nuk ka luajtur si titullar për Liverpoolit që nga 30 janari, kur ishte titullar në ndeshjen kundër Leicesterit, në kuadër të Premierligës.

Që nga ajo ndeshje, Liverpooli i ka zhvilluar pesë ndeshje, katër në Premierligë dhe një në Ligën e Kampionëve, e Shaqiri s’ka qenë pjesë e formacionit të parë. Në ndeshjen kundër Bayernit, ai mbeti në stol për plot 90 minutat e lojës, pasi që Klopp preferoi t’i zëvendësojë tre lojtarë të tjerë.

Ndërsa, në Premierligë, ai nuk ishte fare pjesë e skuadrës për ndeshjen kundër Bournemouthit, për shkak se kishte dhimbje në bark. Në ndeshjet kundër West Hamit dhe Manchester Unitedit u inkuadrua në pjesën e dytë, ndërsa në ndeshjen e fundit, kundër Watfordit, nuk u aktivizua fare.