Xherdan Shaqiri po e shijon mundësinë e rikthimit në Bavari, për të luajtur kundër Bayernit në Ligën e Kampionëve.
Ndërkombëtari i Zvicrës ishte lojtar i rregullt në garën elitare të klubeve në Europë, gjatë eksperiencave me Basel dhe Bayern. Ai ishte, megjithatë, tri vite jashtë Championsit, pas largimit nga Gjermania për Interin dhe pastaj te Stoke.
Transferimi te Liverpool në verën e vitit 2018 e ka ngritur përsëri në këtë drejtim. 27-vjeçari po e përgatit veten për një rikthim në “Allianz Arena”, tashmë si kundërshtar: “Dy ekipe të nivelit të lartë vihen kundër njëri-tjetrit. Për mua, kjo është ndeshja më e mirë në këtë kompeticion dhe do të jetë shumë intensive.
Dua të luaj në Ligën e Kampionëve. Pas një kohe të gjatë, ka qenë me të vërtetë mirë që të luaja përsëri këtu. Është një nivel tjetër, një nivel më i lartë.
Është e qartë se Liverpool ka bërë shumë mirë në Ligën e Kampionëve, vitin e kaluar, por nuk e fitoi atë. Tani kemi një shans të madh për të shkuar shumë larg, përsëri. Sidoqoftë, për të përparuar më tej, ne duhet të mundim një kundërshtar të madh, si Bayern Munich”.
Shaqiri nuk është rikthyer në Mynih që nga largimi për në Itali. Ai është i vendosur të japë më të mirën, nëse luan, kundër klubit që i ka mundësuar të shijojë “tripletën” (Bundesliga, DFB-Pokal dhe Champions) në sezonin 2012-2013.
“Unë nuk kam qenë atje, pas largimit. Ishte e vështirë ta bëja këtë me Stoke. Te Bayerni kam qenë për tri vite. Edhe me Interin kemi luajtur vetëm në Ligën e Europës, kështu që kjo do të jetë hera e parë që kthehem në “Allianz Arena”. Bayern Munich është një klub i madh, një nga më të mirët në botë.
Shumë njerëz do të vijnë për të na parë. Jam shumë i lumtur që po kthehem aty pas një kohe të gjatë, për të luajtur në “Allianz Arena”. Është një stadium i mrekullueshëm për të luajtur. Është e qartë se do të jetë një sfidë shumë e mirë dhe e kam dashur këtë. Dëshiroja të luaja kundër Bayern Munich.
Mezi po pres të takoj shokët e mi të vjetër të ekipit dhe, gjithashtu, njerëzit me të cilët kam punuar te Bayerni. Do të jetë emocionale për mua, sepse kam pasur një kohë të mahnitshme në Bavari, kemi fituar shumë tituj. Nuk do ta harroj kurrë këtë, por dua të shkoj atje dhe ta fitoj ndeshjen”.







