Shaqiri kërkon tre milionë euro në vit për t’iu bashkuar Fenerbahçes

Te Fenerbahçe janë të vendosur për ta transferuar sulmuesin e Liverpoolit, kosovarin Xherdan Shaqirin gjatë afatit kalimtar të janarit.

Bëhet e ditur se Fenerbahçe në parim ka arritur marrëveshje me Liverpoolin dhe po punon për ta bindur Shaqirin që karrierën ta vazhdojë në Turqi.

Madje, sajti turk “Fotomaç” ka raportuar të mërkurën se drejtuesit e Fenerbahçes kanë nisur negociatat me agjentin e Shaqirit dhe mësohet se futbollisti 29-vjeçar po kërkon pagë vjetore prej tre milionë eurosh për të pranuar ofertën e Fenerbahçes.

Ekipi turk po e sheh Shaqirin si përforcim të madh për sezonin tjetër dhe po bën të pamundurën për të siguruar shërbimet e tij, pasi në garë për transferimin e reprezentuesit të Zvicrës është edhe skuadra tjetër nga Turqia, Galatasaray.

Shaqiri ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2023 dhe ka një pagë vjetore deri në pesë milionë euro.

Edicionin e fundit, Shaqiri nuk ka luajtur shumë për shkak të lëndimeve dhe te Liverpooli nuk llogaritin në shërbimet e tij për sezonin e ardhshëm. Ai ka shënuar një gol dhe ka bërë katër asistime në 22 ndeshje për Liverpoolin në të gjitha garat.

Shaqiri është pjesë e Liverpoolit prej vitit 2018 kurse karrierë ka bërë edhe te Stoke City, Interi, Bayern Munichu e Baseli.