Liverpooli u eliminua nga FA Cup pasi u mposht mbrëmë në udhëtim 2-1 nga Wolves, por sulmuesi nga Zhegra e Gjilanit, Xherdan Shaqiri është i sigurt se “The Reds” do të reagojnë shpejt në Premier League.
Shaqiri mendon se gjerësia e skuadrës do t’i ndihmojë Liverpoolit të rikthehet te fitorja, që mungon te Liverpooli që nga 29 dhjetori i vitit të kaluar.
Te Liverpooli në ndeshjen me Wolves u aktivizuan dy lojtarë të rinj si Camacho dhe Jones, ndërsa sipas Shaqirit, liderit të Premier Leagues i mungoi edhe fati.
“Sigurisht se jemi të mërzitur pas kësaj ndeshjeje për shkak se pësuam humbje, por mendoj se nuk e kemi merituar këtë rezultat sepse kemi tentuar të luajmë futboll të mirë. Ndonjëherë të duhet edhe fati dhe te momenti i gjuajtjes së lirë kisha mungesë fati. E shihja topin derisa po shkonte në rrjetë, por nuk ndodhi ashtu. FA Cup është e tillë, mposhteni njëherë dhe jeni jashtë. Tani e mbyllim këtë kapitull për të menduar për ndeshjen e fundjavës, mendoj se kemi mjaftueshëm lojtarë në skuadër që munden të marrin përgjegjësitë e tyre”, tha Shaqiri.
Xherdan Shaqiri ishte në fushë gjatë tërë ndeshjes në humbjen e mbrëmshme kundër Wolves.







