Xherdan Shaqiri u la jashtë skuadrës së Liverpoolit që udhëtoi në Beograd javën e kaluar për t’u ballafaquar me Crvena Zvezdën në Champions League.

Trajneri i “The Reds”, Jurgen Klopp vendosi që mos ta ftojë Shaqirin për këtë ndeshje që pritej të ishte e tensionuar për futbollistin nga Zhegra, pas golit ndaj Serbisë në Kupën e Botës të cilin e festoi me shqiponjë, veprim ky që ngriti reagime të shumta nga mediat serbe.

Shaqiri e ka mirëkuptuar vendimin e trajnerit gjerman, duke e pranuar se do të ishte objektivi i tifozëve serb.

“Klopp dëshiroi të koncentrohej vetëm në futboll sepse të gjithë e dijmë se çfarë kishte ndodhur më parë. Atje bëhet një atmosferë shumë e nxehtë kështu që ishte më mirë të qëndroja në shtëpi dhe të koncentrohesha vetëm te futbolli. Gjithkush do të më kërkonte mua. Isha i freskët, teksa qëndrova në Liverpool dhe u stërvita me disa futbollistë tjerë që kishin mbetur këtu. Doja të bëja një paraqitje të mirë dhe ia dola ndaj Fulhamit”, deklaroi Shaqiri.

Liverpooli pa Xherdan Shaqirin u mposht 2-0 në Beograd nga Crvena Zvezda.