Pavarësisht startit pozitiv te Liverpooli, Xherdan Shaqiri thotë se ende nuk është në formën më të mirë të mundshme.

Shaqiri ka shënuar 2 gola e ka dhënë 2 asiste në 8 paraqitje këtë sezon në Premier League, 5 prej të cilave si zëvendësues.

Sulmuesi nga Zhegra e Gjilanit i ka atribuar meritat bashkëlojtarëve të tij ndërsa synon të arrijë edhe më shumë me “The Reds”.

“Sigurisht se kam vetbesim dhe ka ende gola për t’u shënuar. Gjithmonë është më mirë të kesh futbollistë të mirë afër vetes, të jesh më ofensivë dhe të kesh më shumë posedimin. Por duhet gjithmonë të jesh në gjendje të stërvitesh shumë. Unë ndihem mirë dhe po tentoj të japë më të mirën nga vetja në secilën herë që më jipet mundësia”, u shpreh Shaqiri.

Ish futbollisti i Interit dhe Stoke Cityt shtoi se është i mësuar me konkurrencën e fortë për një vend titullari në formacion.

“Kam luajtur me Riberyn e Robbenin te Bayerni kështu që e di se si është kjo gjë. Nuk kishte asnjë risi, kam qenë i vetëdijshëm për futbollistët e kualitetit të lartë që ka Liverpooli”, përfundoi Shaqiri.