Analisti politik Azdren Shala ka deklaruar se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka pasur potencial të madh terrorist dhe se shteti ka dështuar të veprojë në kohën e duhur për ta ndalur këtë rrezik.
Sipas Shalës, ekzistojnë dëshmi të shumta që vërtetojnë se Vetëvendosje ka funksionuar si një organizatë me strukturë paralele, e aftë për akte të dhunshme.
“Sot mund të gjenden 100 dëshmitarë që konfirmojnë se LVV-ja ka qenë një organizatë me potencial enorm terrorist,” u shpreh ai në “Konfront” të KTV-së.
Ai përmendi arrestimin e Albin Kurtit në vitin 2015 në zyrën e partisë “te Qafa”, ku sipas tij, ishte gjetur armatim, si një nga provat që tregonin se Vetëvendosje kishte kapacitete për veprime të dhunshme. Po ashtu, ai rikujtoi sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në vitin 2016, duke e cilësuar atë si akt terrorist për të cilin thotë se VV-ja e ka potencial ende.
Shala theksoi gjithashtu se për një periudhë të gjatë, LVV ka trajnuar të rinjtë për përplasje me Policinë e Kosovës dhe ka funksionuar si një sistem paralel brenda shtetit.
“Ka fotografi, ka fakte materiale që tregojnë se si kjo organizatë ka përgatitur të rinjtë për konfrontime me forcat e rendit”, shtoi ai.
Sipas analistit, shteti është treguar i dobët në raport me Vetëvendosjen dhe nuk ka ndërmarrë masa të duhura për të parandaluar rritjen e saj si një organizatë me tendenca radikale.
Shala: Albin Kurti i njëjtë si Dodiku, autokrat
Azdren Shala, analist politik, ka thënë se kryeministri Albin Kurti frikësohet të japë dëshminë në Prokurorinë Speciale sepse nga dëshmitar mund të bëhet i pandehur.
Ai e ka krahasuar Kurtin me Milorad Dodikun, president i entitetit serb të Bosnjës, pasi ka thënë se të dy janë autokratë.
“Pse nuk po shkon Albin Kurti. A ndjehet i fajshëm? Kjo është e mundshme dhe mendoj se po. Pse e bënë Kurti këtë, se ky është spektakël mediatik, prej se i ka ardhë për herë të parë kërkesa. Krejt këtë spektakël ku Kurti e fton Prokurorinë në zyrën e vet, ai dëshiron ta paraqesë veten si i përndjekur politik. Nuk mund të flasësh për përndjekje politike, me një vend demokrati, për më tepër që ti je fuqia ekzekutive. Kurtit i nevojitet roli i viktimës të vazhdojë tutje fabula e personit të përndjekur politikisht, ku prokuroria, sistemi drejtësisë, partitë, janë kundër tij. Kurti është autokrat. Një kryeministër si Kurti me prirje autoritare, i pengon ndarja e pushteteve… jo më larg se dy javë më parë i ngjashëm me Kurtin një autokrat si Milorad Dodik refuzoi të shkonte në gjykatë sepse edhe ai është i njëjtë me Kurtin…”, ka thënë ai.







