Shala: Anëtarët e Nismës janë profiterë në krah të Fatmirit, mirë nëse i kanë marrë bile votat e familjarëve

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Haxhi Shala thotë se e ka pritur që Nisma do të mbetej jashtë Kuvendit në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka thënë se ka ndjerë keqardhje për kreun e këtij subjekti, Fatmir Limaj, por jo edhe për anëtarët tjerë të Nismës.

Shala ka thënë në T7 se anëtarët tjerë të këtij subjekti nuk kanë mundur të marrin më shumë vota se ato të familjarëve të tyre.

“Ka qenë e pritur për Nismën sepse nuk ka më njerëz operativ në teren. Fatmir Limaj është i vetëm. Ka persona tjerë po nuk e kanë autoritetin të depërtojnë te një votë. Vetëm ai ka mundur të sjellë frymë te votat. Të tjerët nëse mund t’i marrin votat e familjarëve të tyre mirë kish qenë. Për Fatmirin mua më ka ardh keq, për të tjerët aspak. Të gjithë të tjerët janë profiter në krahë të Fatmirit”, ka thënë ai.

Përndryshe, Shala ka deklaruar se ai do të bëhet deputet nga radhët e AAK-së.