Kosova Lindore

Shaip Kamberi flet për Ballkani.info: Serbia i ka shtuar forcat speciale të xhandarmërisë në Luginë

Në një intervistë me Ballkani.info kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi ka folur në mënyrë të hapur mbi zhvillimet e fundit politike, në Kosovë, e padyshim që kryetemë kanë Luginën e Preshevës.
z. Kamberi, duke arsyetuar dhe përkrahur fuqishëm iden e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, ai nuk hezitojë të përshkruante situatën me të cilën po ballafaqohen qytetarët e Luginës, ku sipas tij, Serbia ka shtuar forcat e policisë speciale – xhandarmërisë. Tutje, ai shton që është optimist që ky bashkim do të ndodhë, raporton Ballkani.info

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: z. Kryetar, ju lutem na flisni për situatën në Luginë, meqenëse është folur për shtim të xhandarmërisë serbe në Luginë të Preshevës?

z. Kamberi: Po, prej nismës së re për mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, Serbia ka shtuar prezencën vizuele të forcave të policisë speciale-xhandarmërisë, në komunat tona. Me paraqitjen e tyre nëpër vendbanimet shqiptare, shpesh herë edhe duke rregulluar trafikun, xhandarmëria serbe ushtron një presion psikologjik mbi popullsinë. Praraqitjen e tyre nëpër vendbanimet shqiptare, ne e konsiderojmë një demonstrim të panevojshëm të forcës.

Ballkani.info: Qytetarët e Luginës dhe spektri politik shqiptar atje, a janë pro idesë së Presidentit Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve?

z. Kamberi: Ideja së fundmi e aktualizuar për bashkim me Kosovën është projekt i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i dalë nga Referendumi më 1 dhe 2 mars të vitit 1992. Kjo pra, nuk është vetëm dëshirë apo ëndërr. Është një projekt për të cilin shqiptarët, janë deklaruar në atë vit për të shprehur idenë e bashkimit si zgjidhjen më të mirë për ne.

Ballkani.info: Ju z. Kryetar si e shihni iden e z. Thaçi, për iden e korrigjimit të kufijve?

z. Kamberi: Është hera e parë që një zyrtar kaq i lartë siç është Presidenti i Kosovës të flasë hapur për këtë ide, prandaj, ne e kemi përshëndetur.
Nga një amnezion total që mbretëronte në vetëdijen e Bashkësisë Ndërkombëtare, mjerisht, edhe në nivel kombëtar për Luginën e Preshevës, tashmë, me prononcimet publike të presidentit Thaçi, kanë sjellë Luginën e Preshevës në agjendën e politikës ndërkombëtare. Kjo paraqet një shpresë të re për popullsinë e cila në mungesë të perspectives, ka filluar që në masë të largohet nga trojet etnike.

Ballkani.info: A është i mundur bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën?

z. Kamberi: Jemi të vetëdijshëm që kjo është një temë delikate, temë që mund të reflektojë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Por, nëse kjo del në kuadër të një marrëveshje dypalëshe me Serbinë, natyrisht edhe e përkrahur nga faktorët më relevantë ndërkombëtarë, besojmë që realizimi i saj është i mundur.

Ballkani.info: A do të pranonit bashkim të pjesshëm të Luginës?

z. Kamberi: Ne jemi deklaruar pro idesë së bashkimit, duke potencuar domosdoshmërinë e trajtimit si tërësi të Luginës së Preshevës. Mendojmë, se zgjidhja parciale për të është e dëmshme dhe dëmton interesat e popullsisë shqiptare që jeton këtu.

 

Intervistoi: Mihane Hoxha/Ballkani.info/

Image result for shaip kamberi