Kandidati për deputet nga Shaip Kadriaj, me numër 57 në listën e Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e dy milionë eurove për subvencionimin e biletave të Mërgatës.
Përmes një adresimi publik, Kadriaj ngriti pyetje ndaj Qeverisë së Kosovës, duke kritikuar mungesën e mbështetjes për shkollat shqipe dhe shoqatat kulturore në diasporë gjatë viteve të fundit.
“Të dashur bashkëatdhetar, Qeveria e Republikës së Kosovës paska ndarë dy milionë euro për subvencionimin e biletave të Mërgatës. Kam një pyetje publike për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ku ishe që gjashtë vite që nuk ndave një buxhet për shkollat shqipe në Mërgatë, që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën tonë amtare?”, ka deklaruar Kadriaj.
Ai po ashtu tha se për gjashtë vite nuk është ndarë buxhet as për shoqatat kulturore artistike në diasporë, të cilat, sipas tij, vazhdojnë ta ruajnë kulturën dhe traditën kombëtare shqiptare.
Sipas Kadriajt, subvencionimi i biletave në prag të fushatës zgjedhore përbën “blerje të votave”.
“Në prag fushate, subvencionimi i biletave nuk është asgjë më shumë sesa blerje e votave. Për një gjë jam i sigurt, që Mërgata as nuk shitet kryeministër, as nuk blehet”, thuhet në reagimin e tij.
Shaip Kadriaj garon në zgjedhje me numrin 57 në listën e PDK-së, ndërsa kandidat për kryeministër nga kjo parti është Bedri Hamza.







