Sezoni përfundoi – por Cristiano Ronaldo u dërgoi mesazh kritikuesve: Nuk i ndjek më rekordet, ato më ndjekin mua

Cristiano Ronaldo uron Interin për fitimin e titullit dhe thotë se ai e ka arritur synimin e tij në Juventus.

Sulmuesi portugez ndan një mesazh në Instagram pas përfundimit të sezonit në Serie A.

“Jeta dhe karriera e çdo lojtari më të mirë kanë ngritje dhe rënie. Vit pas viti, ne përballemi me ekipe fantastike, me lojtarë të jashtëzakonshëm dhe qëllime ambicioze, kështu që gjithmonë duhet të japim më të mirën për të mbajtur veten në nivele të shkëlqyeshëm”, shkroi fillimisht ai.

“Këtë vit nuk mund ta fitonim Serie A-në, urime Interit për titullin e merituar. Sidoqoftë, unë duhet të vlerësoj gjithçka që kemi arritur këtë sezon në Juventus, si në aspektin kolektiv ashtu edhe në atë individual. Superkupa e Italisë, Kupa e Italisë dhe trofeu i Top shënuesit të Serie A më mbushin me lumturi, kryesisht për shkak të vështirësisë që mbajnë me vete, në një vend ku asgjë nuk është e lehtë për të fituar”.

“Me këto arritje, unë arrita një qëllim që ia kisha vendosur vetes që ditën e parë kur mbërrita në Itali: të fitoja Kampionatin, Kupën dhe Super Kupën, dhe gjithashtu të isha Lojtari më i Mirë dhe Shënuesi më i mirë në këtë vend të shkëlqyeshëm të futbollit me lojtarë të jashtëzakonshëm, klube gjigante dhe një kulturë shumë vetanake të futbollit”.

“Unë tashmë kam thënë që nuk i ndjek rekordet, rekordet më ndjekin. Për ata që nuk e kuptojnë se çfarë dua të them me këtë, është shumë e thjeshtë: futbolli është një lojë kolektive, por është përmes kapërcimit individual që ne ndihmojmë ekipet tona të arrijnë qëllimet e tyre. Gjithmonë duke kërkuar më shumë në fushë, duke punuar gjithnjë e më shumë jashtë fushës, që përfundimisht dalin rekorde dhe titujt kolektivë bëhen të pashmangshëm, disa janë pasoja e natyrshme e tjetrit”.

“Kështu që, unë jam shumë krenar me këtë fakt që është përsëritur gjerësisht ditët e fundit: Kampion në Angli, Spanjë dhe Itali; Fitues i Kupës në Angli, Spanjë dhe Itali; Fituesi i Super Kupës në Angli, Spanjë dhe Itali; Lojtari më i mirë në Angli, Spanjë dhe Itali; Shënuesi më i mirë në Angli, Spanjë dhe Itali; Mbi 100 gola për një klub në Angli, Spanjë dhe Itali. Asgjë nuk krahasohet me ndjenjën e të diturit që kam lënë gjurmë në vendet ku kam luajtur dhe se u dhashë gëzim tifozëve të klubeve që përfaqësova. Kjo është ajo për të cilën unë punoj, kjo është ajo që më shtyn dhe kjo është ajo për të cilën unë gjithmonë do të vazhdoj ta ndjek deri në ditën e fundit”.

“Faleminderit të gjithëve që morën pjesë në këtë udhëtim! Ne qëndrojmë bashkë!”, përfundon letra e portugezit.

Ronaldo ishte stol në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Bolognas dhe ka raportime se ai mund të largohet nga Biankonerët në verë, pavarësisht se ka një vit të mbetur në kontratën e tij.