Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami janë përplasur verbalisht në Kuvend në lidhje me të hyrat buxhetore dhe barrën tatimore.
Deputetja Bajrami, gjatë diskutimit sonte në Kuvend, tha se pjesa më e madhe e të hyrave të buxhetit të Kosovës 2027 sigurohet nga tatimet mbi konsumin, ndërsa tatimet mbi pasurinë dhe të ardhurat janë dukshëm më të ulëta, raporton KosovaPress.
Në replikë, ministri Hekuran Murati kërkoi sqarim nga deputetja Bajrami nëse ajo po kërkon rritjen e tatimeve direkte, duke iu referuar deklarimit të saj se këto tatime janë në nivel të ulët.
Ai tha se, pavarësisht se nuk janë ndryshuar politikat fiskale dhe normat tatimore, të hyrat nga tatimet direkte janë rritur.
Deputetja Bajrami kritikoi ministrin Murati për politikat fiskale dhe duke thënë se ai nuk po dëshmon se si buxheti duhet të shpërndahet për të krijuar vlerë ekonomike.
Ajo gjithashtu tha se ministri Murati është pajtuar me politikat fiskale të ish-kryeministrit Avdullah Hoti.






