Setien bën ndryshimin e parë në Barcelonë

Nëse Barcelona e emëroi trajnerin Quique Setien me qëllimin për t’i ndryshuar gjërat në Camp Nou, atëherë ai po e dëshmon menjëherë se është personi i duhur për ta bërë një gjë të tillë.

Qysh në javën e parë si trajner i Barcelonës, Quique Setien i ka bërë disa ndryshime në mënyrën se si menaxhohet Barcelona, duke bërë ndryshime thelbësore nga koha e Ernesto Valverdes, shkruan Marca.

Ndryshimi më thelbësor deri më tani ka qenë vendimi për të mbajtur seanca stërvitore edhe gjatë ditëve kur klubi katalonas do të zhvillojë ndeshje.

Barcelona do të luajë këtë të diel në orën 21:00 kundër Granadas, por lojtarët janë udhëzuar të shkojnë në kampin stërvitor edhe atë ditë në mëngjes. Në këto stërvitje gjatë ditëve kur zhvillohen ndeshje, klubi do të përqendrohet te aspekti taktik i ndeshjes që po i pret.

Këtë gjë nuk e kishte praktikuar Valverde, i cili preferonte t’u jepte lojtarëve pushim, duke argumentuar se ata lodhen mjaftueshëm fizikisht. Por, Pep Guardiola e kishte përdorur një strategji të njëjtë, duke mbajtur takime për të biseduar për taktika me lojtarët në mëngjesin e ditëve kur zhvilloheshin ndeshjet.

Mbetet të shihet nëse Setien do të vazhdojë me këtë strategji për çdo ndeshje të Barcelonës apo do ta përdorë vetëm këtë fundjavë me rastin e ndeshjes së tij të parë si trajner i katalonasve.