Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte më e larta që nga koha kur Spanja u bë demokraci, pothuajse 50 vjet më parë.

Nëse Vox i bashkohet një qeverie të udhëhequr nga PP-ja, kjo do të shënonte herën e parë që një parti e ekstremit të djathtë ndan pushtetin në Spanjë që nga periudha e regjimit të Francisco Francos.

Sondazhi, së bashku me një exit poll, sugjerojnë se kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sánchez, do të largohet nga detyra pas tetë vjetësh në pushtet. Gjatë kësaj periudhe, ai është shndërruar në një kritik të zëshëm të politikave të administratës Trump në Lindjen e Mesme, si dhe të ndikimit të kompanive amerikane të mediave sociale.

Nëse parashikimet e sondazheve rezultojnë të sakta, lideri i PP-së, Alberto Nunez Feioo, do të bëhej kryeministër në moshën 65-vjeçare. Ai ka qenë për një kohë të gjatë në krye të rajonit të Galicias, në veriperëndim të Spanjës, dhe gjatë fushatës është paraqitur si një politikan me përvojë dhe kompetencë administrative, i cili synon të trajtojë krizën e strehimit dhe të ulë taksat.

Megjithatë, mundësia e tij për të qeverisur do të varej nga shkalla e mbështetjes që Vox do t'i ofronte PP-së, qoftë duke u bërë pjesë e qeverisë apo duke e mbështetur atë nga jashtë.

Sanchez shpalli zgjedhje të parakohshme, në atë që u duk si një përpjekje për të marrë iniciativën politike pas protestave mbarëkombëtare për krizën e strehimit. Protestat u nxitën nga dëbimi i një gruaje 87-vjeçare nga banesa e saj në Madrid.

Ai deklaroi se kishte nevojë për një mandat të ri politik, pasi parlamenti kishte refuzuar dekretet që synonin trajtimin e problemit të strehimit.

Megjithatë, pavarësisht se gjatë qeverisjes së tij Spanja ka pasur një nga ekonomitë më dinamike në Evropë, Partia Socialiste (PSOE) ka pësuar disa humbje në zgjedhjet rajonale gjatë këtij viti. Reputacioni i saj është dëmtuar gjithashtu nga skandalet e korrupsionit që kanë përfshirë persona të afërt me kryeministrin.

Disa sondazhe të fundit treguan se socialistët po e ngushtonin diferencën me Partinë Popullore, por kjo po ndodhte në kurriz të së majtës radikale, mbështetjen e së cilës Sanchez do t'i duhej për të siguruar formimin e një qeverie.