Reuters

“S’është mjedisi i tyre, instaluam ngrohëse”, Reuters shkruan për luanin dhe arinjtë që strehohen në Mramor të Prishtinës

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters ka shkruar për një luan dhe disa arinj në Mramor të Prishtinës.

Punëtorët në një vendstrehim të këtyre kafshëve po punojnë shumë për t’u kujdesur për një luan që dëshiron të luajë në dëborë dhe arinjtë që u hoqën nga habitati i tyre natyror kur ishin këlyshë, shkruan Reuters.

Ndërsa bora e parë e dimrit mbuloi Prishtina Bear Sanctuary në kryeqytetin e Kosovës, vizitorët shijuan pamjen e një luani duke luajtur përpara se të strehoheshin shpejt në ambiente të mbyllura ku ishte instaluar një ngrohëse për t’i shmangur temperaturat që bien nën zero.

“Ne e dimë që ky nuk është mjedisi i tyre perfekt për të mbijetuar, por ne kemi krijuar një vend të këndshëm për dimër dhe kemi instaluar një ngrohëse që e ndihmon shumë sepse macet e mëdha kanë nevojë për temperatura shumë më të ngrohta”, thotë Albana Hoti,menaxhere në Prishtina Bear Sanctuary.

Luani, i quajtur Gjon, u shpëtua vitin e kaluar nga një restorant lokal ku mbahej për t’i argëtuar klientët. Ai pritet të transportohet në Afrikën e Jugut pasi të kapërcehen pengesat ligjore.

Reuters shkruan se vendstrehimi i këtyre kafshëve ku ka 20 arinj, menaxhohet nga Four Paws International, një organizatë jofitimprurëse e dedikuar për mirëqenien e kafshëve. Arinjtë kanë një histori të ngjashme me atë të Gjonit, pasi njësoj, ata ishin mbyllur në kafaz në restorantet lokale – pasi ishin marrë nga pyjet lokale – përpara se të shpëtoheshin.

Katër ose pesë nga arinjtë në këtë strehimore nuk e kanë përjetuar kurrë jetën e egër, thotë Hoti.