Sergio Ramos, mbrojtësi me më së shumti gola në shekullin 21

Sergio Ramos është në prag të largimit nga Real Madridi pasi kontrata e tij përfundon më 30 qershor, ndërsa ende nuk është nënshkruar kontrata e re.

Ramosi karrierë ka bërë me Sevillan e Real Madridin. Të arriturat e tij nuk vihen në pyetje asnjëherë, njësoj siç nuk vihen në dyshim aftësitë e tij defensive. Formë të jashtëzakonshme po kalon edhe në fazën ofensive. Ai është renditur në vendin e parë prej mbrojtësve që kanë shënuar më së shumti gola në shekullin 21. Është i padiskutueshëm në vendin e parë, me 47 gola më shumë sesa përcjellësi i parë.

Mbrojtësi madrilen ka shënuar 126 gola për klubin dhe shtetin e tij në këtë shekull, ndërsa përcillet nga mbrojtësi austriak, Rene Aufhauser, që ka të realizuar 79 gola gjithsej.

Ramos i ka shënuar tre gola për Sevillan, 100 për Real Madridin dhe 23 për Përfaqësuesen e Spanjës.