Serbia vazhdon t’i nënshtrohet Rusisë, Bërnabiq: Sanksionet nuk i mbështet populli ynë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha sot se së shpejti do të formohet Qeveria e re e Serbisë.

“Së shpejti, së shpejti,” u tha Bërnabiq gazetarëve gjatë një pushimi në takimin për arsimin e dyfishtë.

E pyetur nëse sanksionet kundër Rusisë do të jenë një nga temat e Qeverisë së re të Serbisë, Bërnabiq tha se do të mbetet një presion dhe se është e sigurt se do të ketë shumë biseda të tjera në baza ditore për këtë çështje dhe se sanksionet janë temë e domosdoshme.

“Unë jam i sigurt se do të vazhdojë të jetë temë, por ne i qëndrojmë qëndrimit tonë – sanksionet kundër Rusisë nuk janë në interesin më të mirë të Serbisë dhe sanksionet nuk janë diçka që populli ynë e mbështet”, tha Bërnabiq.

Ajo shtoi se disa vende që kërkojnë nga Serbia vendosjen e sanksioneve nuk e respektojnë integritetin territorial të Serbisë dhe se ndaj Serbisë është bërë agresion brutal.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të mbrojtur interesat kombëtare”, tha Bërnabiq.

PE kërkon që Serbia të penalizohet për mosvënie të sanksioneve ndaj Rusisë

Komisioni i Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian miratoi raportin për strategjinë e re të zgjerimit. Përmes këtij raporti kërkohet që procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në bllokun evropian, por edhe dhënia e fondeve të BE-së, të kushtëzohet me mbështetjen e Beogradit për sanksionet ndaj Moskës.

“Duhet të bëhet prioritet përshtatja e vendeve nga procesi i zgjerimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Dhe të avancojnë negociatat e anëtarësimit me Serbinë vetëm nëse ky vend i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe të bëjë përparim domethënës në reformat e nevojshme për integrim në BE”, thuhet në raportin e PE-së.

Raporti për strategjinë e re të zgjerimit kërkon që procesi i zgjerimit të reformohet, në mënyrë që të shpërblehen ato vendeve që avancojnë në përmbushjen e kritereve, por edhe të sanksionohen ato shtete që shënojnë kthim prapa në këtë proces.

Raporti u përgatit nga eurodeputeti kroat, Tonino Picula, dhe ai u miratua me 49 vota për, pesë kundër dhe tetë abstenime.

PE-ja, përmes raportit për strategjinë e zgjerimit, po ashtu ka propozuar që të ndryshohet mënyra e miratimit të vendimeve, duke hequr dorë nga unanimiteti për të kaluar në votim me shumicë të kualifikuar në Këshill.

Marrja e vendimeve përmes votimit unanim shpesh ka mundësuar që në të kaluarën, shtete të caktuara anëtare të bllokojnë hapjen apo mbylljen e kapitujve negociues.

Në këtë raport, disa herë përmendet se besueshmëria e procesit të zgjerimit, por edhe i BE-së në tërësi, është dëmtuar për shkak se disa shtete anëtare, për shkak të interesave nacionale kanë bllokuar këtë proces. Kjo, sipas raportit, ka “krijuar hapësirë për ndikimin e Rusisë, Kinës dhe faktorëve të tjerë të dëmshëm në rajon”.

Në raport, PE-ja ka folur edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja. Aty u kërkua një angazhim më i madh i palëve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë, përmes njohjes së ndërsjellët.

PE-ja po ashtu nënvizon se nuk duhet të ketë alternativë procesit të zgjerimit. Madje, në raport propozohet që negociatat e anëtarësimit me vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, të përmbyllen deri në fund të kësaj dekade.

BE-ja, sipas raportit, duhet të punojë që ndihma e saj të jetë më e dukshme, në mënyrë që të rrisë ndikimin në rajon dhe më gjerë.