Krerët e shtetit sot kanë qenë në lëvizje të vazhdueshme. Fillimisht liderët institucional janë takuar në presidencë me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett.
Më pas, kryeparlamentari Veseli, kryeministri Haradinaj dhe dy zëvendëskryeministrat, Pacolli dhe Limaj janë të sërish në presidencë me Thaçin.
Asnjë nga liderët nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur saktësisht në këto takime. Ajo që dihet është fakti se pezullimi i taksës ka qenë tema kryesore.
Të gjitha këto zhvillime janë pritur me interesim të jashtëzakonshëm nga mediat në Serbi, shkruan Ballkani.info.
Të gjithë mediat kryesore “i kanë pritur me ankth” zhvillimit, duke raportuar se “Haradinaj nuk lëshon pe për taksën”.
Po ashtu këto media i kanë cituar në vazhdimësi edhe mediat kosovare, të cilat kanë raportuar për “përplasje brenda takimit të liderëve me ambasadorin amerikan”.
Heqja ose pezullimi i taksës për mallrat serbe po pritet me interesim të madhe, kjo pasi që ekonomia serbe ka pësuar dëme gati të pariparueshme që nga 21 nëntori i vitit të kaluar kur u vendos kjo taksë.
Ekonomia serbe llogaritet që ka humbur deri më tash qindra milionë euro nga taksa, prandaj interesimi i medias atje dhe politikës është i madh.
Në anën tjetër, taksa mund të bëhet shkak që Qeveria e Kosovës të bie qysh javën tjetër, pasi që Haradinaj po këmbëngulë që ajo mos të hiqet derisa Kosova të ketë garanci nga SHBA-ja që marrëveshja finale me Serbinë përmbyllet shpejt dhe nuk do të ketë ndarje e as korrigjim kufijsh. /Ballkani.info/











