Serbia

Serbia falënderon Kinën për “reagimin e fortë” ndaj “lëvizjeve të papërgjegjshme” të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi të martën ambasadorin e Kinës në Beograd, Li Ming, të cilin e falënderoi për reagimin e diplomacisë kineze ndaj ndajlimit të përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, por edhe për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Serbisë dhe Kinës, duke e cilësuar “vëllazëror” popullin kinez.

“Ia dorëzova një letër që ia dërgova presidentit Xi për situatën në Kosovë, por edhe për zhvillimin e përshpejtuar të marrëdhënieve dypalëshe.E falënderova ambasadorin Ming për reagimin e fortë dhe të qartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës lidhur me lëvizjet e fundit të papërgjegjshme të Prishtinës kundër popullit serb në Kosovë”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, në një konferencë për shtyp të hënën, duke iu referuar rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet përdorimi i dinarit serb në territorin kosovar, tha se “veprimet e njëanshme” nuk i kontribuojnë përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Kina beson se çdo veprim i njëanshëm nuk është i favorshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ne mbështesim palët përkatëse që të punojnë me njëra-tjetrën në kuadër të rezolutës përkatëse të Këshillit të Sigurimit për të arritur një zgjidhje të pranueshme politike reciproke përmes dialogut”, deklaroi ai.

“Në këtë proces, duhet të respektohet plotësisht sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Serbisë dhe të garantohen të drejtat për ekzistencë dhe zhvillim të të gjitha grupeve etnike në Kosovë”, shtoi ndër të tjera zëdhënësi i diplomacisë kineze në një konferencë të rregullt për media.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Me gjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë kursin, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, nuk u lëkund nga pozicioni për ndalimin e qarkullimit dhe përdorimit të dinarit serb nën argumentin e shtrirjes së “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë” në çdo cep të territorit, përfshirë veriun e trazuar të Kosovës.

VIDEO BONUS: Punëtorët teknikë të shkollave fajësojnë Albin Kurtin për pagat e vogla